Bojken Lako: Gjera të mëdha po vijnë

360 M Records! Një punë gjigante, por pak e njohur për publikun. Na tregoni dicka më shumë.

360 M records është një punë që unë e kam pasur gjithmonë dëshirë dhe kënaqësi, që të promovoj muzikë, ndonëse kjo është pak më e thellë, është për artistët të cilët duhet ta hapin më shumë diapazonin e fanseve të tyre, e të shpërndarjes së muzikës së tyre nëpërmjet portaleve dixhitale, që fatkeqësisht dhe fatmiresisht janë mundësia e momentit për të komunikuar me muzikën. Momentalisht puna po ecën mirë dhe shumë artistë po afrohen, por gjithashtu edhe puna ime si promotor po vazhdon me ngritjen e një strukture prodhuese muzikore duke krijuar një grup pune të përbërë nga producentë të rinj kompozitorë, tekstshkrues dhe artistë të rinj të cilët po punojnë për të nxjerrë materialet e para, kënget e videot e para të tyre. Puna për të realizuar qëllimet nëpërmjet një labeli muzikor është dicka që më pëlqen shumë e më përmbush edhe si artist sepse dëshira ime ka qënë gjithmonë promovimi dhe nxjerrja në pah e vlerave dhe talentit shqiptar në këtë fushë, por është edhe më e gjerë se kaq, sepse në momentin që jetojmë në një shoqëri kaq globale do ishte një mrekulli nëse artistët shqiptare arrijnë të depërtojnë edhe jashtë kufijve të vendit. E kjo gjë po ndodh e njerezit e shohin përditë. Unë jam në një proces pune me miq e bashkpuntorë për zbulimin e talenteve te reja, edhe me ndihmën e disa organizimeve të reja të Bashkisë së Tiranës, e me pas angazhimin e tyre në industrinë muzikore nëpërmjet prodhimit të këngëve dhe videove, e gjithashtu nëpërmjet 360M Records me distribucionin në web.

 

Jeni rock-eri më i famshëm shqiptar, a nuk po rrezikoni të dilni nga profili juaj me këtë lloj muzike?

Përsa i përket muzikës rock rock është një kuptim i gjerë i tingullit dhe unë kam filluar krijimtarinë muzikore në kohen e shpërthimit të rockut alternativ dhe kam qënë gjithmonë i prirur për të eksperimentuar me tingullin e rockut. Ka shume vite që ndonëse me etiketojnë me emrin rockman kam eksperimentuar dhe në rryma të tjera dhe kjo me jep kënaqësi. Por që ketej e tutje këngët e mia do jenë të karaktereve dhe rrymave të ndryshme, ashtu në menyrë të lirshme, si me del pa u menduar shumë gjatë.

Po me Bulëzat cfarë po ndhodh?

Bulza live session ishte një projekt pilot për të promovuar grupet e reja të muzikes rock dhe ky është një program që së shpejti do kthehet në strukturë të përhereshme televizive, sepse ka shume efikasitet si formulë. Si koncept bulza është zhvilluar në një kompani menaxhimi për artistë të rinj të të gjitha zhanreve. Sëbashku me disa miq e bashkëpuntorë të mi kemi vazhduar me idenë e "Bulza enterteinment" e cila së shpejti do të promovojë punët e para të muzikantëve të rinj që po kërkojme nëpërmjet organizimit të disa strukturave rinore në Bashkine e Tiranës.

 

I keni hyrë më kokë promovimit të artistëve të rinj, po karriera juaj si këngëtar?

Unë momentalisht sapo kam përfunduar incizimin e një kënge të re e cila do të promovohet pas një muaji nga labeli 360M records. Do kem mundesi që ta publikoj këtë këngë dhe me video e po vazhdoj punën për këngë të tjera, por momentalisht nuk jam me aktiv me grupin tim në koncerte live sepse po punoj për krijime të reja.

Ishit i pari dhe i vetmi shqiptar në Grammy Awards, na tregoni cfarë nuk pamë dot ne.

Për Grammy besoj që është kënaqësi për cdo njeri, qoftë profesionist apo jo në muzikë që të shohi nga afër artistë të mëdhenj e të gjendet në atmosferën e një nga eventeve më të mëdhenj muzikor në botë. Aq më tepër ishte dicka e mirë për të marrë një eksperiencë të nevojshme për të vazhduar punën time në organizimin e eventeve muzikore promovuese.

Merrni pjesë shumë rrallë në konkurse, pse kjo zgjedhje?

Nuk kam marrë pjesë rrallë por kam patur një periudhe tërheqjeje se mendoj që duhet të ketë edhe artistë të tjerë që të hipin në ato skena e jo gjithmonë të njëjtët. Po ashtu mendoj se ka mënyra të tjera sot shumë për komunikimin me publikun ndonëse i vlerësoj festivalet që organizohen këtu si një urë për të qënë i promovuar në muzikën moderne.

Kur do të vijë "kënga familjare" mes jush dhe Semit?

Me Semin kemi punuar bashkë në fillimet e njohjes sonë e tani gjithmonë konsultohemi, por jemi në rrugë të ndryshme tëe produksioneve. Semi është në një përgatitje për të nxjerrë materiale të reja me bashkpunëtorët e saj për një tjetër stil muzikor dhe kemi rruge të ndryshme.

Cilat janë planet më të afërta?

Planet? Përvec këngeve të mia po punoj për ngritjen e kësaj agjensie menaxhimi të artistëve të rinj kryesisht. Afrimin rreth Bulza Enterteinment të producenteve të rinj dhe bashkëpunimin për të hedhur hapa të rinj në muzikë. Jam i përfshire në punën m të rinjtë në disa struktura të Bashkisë dhe po punojmë për edicionin e ri të Tirana Art Festival. Gjithashtu jemi në fillim të disa projekteve dhe formateve televizive që kane lidhje gjithmonë me promovimin muzikor. Për momentin këto janë.

Intervistoi: Sashenka Ndreka