“Asgjë Sikur Dielli” së shpejti me klip të ri

Dëshira e madhe për të qënë pranë ndjekësve të tyre, por dhe pasioni i madh për muzikën që ata luajnë, kanë rikthyer sërish bashkë grupin e njohur muzikor “Asgjë Sikur Dielli”.

Mungesën e grupit prej 4 vitesh vokalisti Alban Nimani e ka përkthyer si një rritje profesionale,  si nga ana menaxheriale, ashtu edhe nga ana muzikore.

Ribashkimi i tyre ka sjellë në treg albumin e tyre të tretë “Disident”.

Që nga rikthimi i tij, Asgje Sikur Dielli, ka publikuar  3 videoklipe ku “Disident” është klipi i parë shqip në realitetin virtual 360 gradë. Gjithashtu, djemtë e grupit janë mjaft aktiv  nëpër festivale dhe koncerte duke konfirmuar kështu  se ky grup i kishte munguar aq shumë publikut shqiptar.

 

Në një intervistë për Electronic Beats Albania, vokalisti Alban Nimani rrefën detaje interesante rreth grupit dhe projekteve të radhës.

 

Alban keni patur një ndarje në grup, më pas një ribashkim, mendon se sot në Shqiperi ke më shumë sukses si solist, apo në grup??

Nuk mendoj se ka ndonjë ndikim në sukses fakti që dikush është solist apo grup. Suksesi mendoj se varet nga shumë faktore. Puna, këngët, menaxhimi, marketingu si dhe prezenca në mediat sociale. Natyrisht popullariteti varet edhe nga zhanri i muzikor.

Në fillimet tuaja a keni ndjekur hapat e ndonjë grup muzikor të huaj, të famshëm, të cilit keni preferuar ti ngjani sadopak?

Po të kopjonim ndonjë grup tjetër do të ishte humbje kohe.

Natyrisht jemi rritur duke dëgjuar grupe dhe muzika të ndryshme. Unë dëgjoj gjithçka që më ngacmon dhe më jep një emocion, pavarësisht zhanrit.

A janë këngët tuaja dedikime? Po këngë revolte keni?

Këngët tona kryesisht janë reflekse të shoqërisë dhe jetës që e jetojmë.

Në një mënyrë apo tjetër janë këngë revolte, por mendoj se janë revoltë paqësore.

Cila është kënga juaj e preferuar?

Kënga ime më e preferuar aktualisht është Melankoli, nga albumi i fundit DISIDENT.

Cili do të jetë projekti juaj i radhës?

Projekti i radhës do të jetë klipi i këngës Melankoli. Kësaj kënge aktualisht jemi duke i punuar videoklipin të cilin shpresojmë ta lançojmë në fund të sezonit veror.

Ku i gjejme 'Asgje Sikur Dielli', për të gjithë fansat dhe ndjekësit tuaj??

Për t'u informuar mbi grupin, fansat mund të na gjejnë në Web faqen tonë

https://soundcloud.com/asgjesikurdielli

Në mediat sociale: facebook/asgjesikurdielliofficial, twitter: @asdielli

soundcloud: https://soundcloud.com/asgjesikurdielli

Instagram: asgjesikurdielli

Në kanalin e Youtube: asgjesikurdielli, si dhe mund t'i blejnë këngët e albumit të ri në bandcamp: https://asgjesikurdielli.bandcamp.com/releases

Faleminderit!

Pak biografi për grupin...

 

Grupi “ Asgjë Sikur Dielli është krijuar në mesin e viteve 90” ku Alban Nimani dhe Bujar Hundozi janë takuar dhe kanë vendosur të punojnë sëbashku. Albani kishte përvojë në muzikë pasi në shkollën e mesme ai angazhohej me grupe të ndryshme të muzikës rock në Prishtinë. Fillimet e tyre kanë qënë performancat nëpër kafene duke hedhur kështu hapat e parë të ndikimit tek publiku.

Pas ketyre hapave të parë ata kanë ftuar edhe Visar Qeskën (Baskitarë) i cili po ashtu ushtrohej me grupe të tjera muzikore. Kështu pas suksesit të performancave të tyre të tre vendosën që  në vitin 1996 të krijojnë grupin me emer “Asgjë Sikur Dielli”. Grupit të tyre më pas ju shtua edhe Fatos Berisha dhe Pëllumb Ballata, të cilët plotësuan grupin e plotë.

Albumi i parë i “Asgjë Sikur Dielli” i titulluar  “Nr 1” mbërriti tek publiku 2 vite pas krijimit, në 1998 dhe u prit mirë nga publiku sidomos kënga e tyre që bëri bujë “ Mendoj se çdo gjë merr fund pa ty” e cila u bë hit në toplistat  muzikore dhe qëndroj në krye të tyre për muaj të tërë. Në 2005 ata realizuan albumin e dytë të titulluar “ Ndodhemi”.

Pas një ndarje 4-vjeçare grupi është rikthyer  për albumin e tyre të tretë “Disident” dhe në përbërjen e grupit janë  Bujar Hudozi në kitarë, Alban Nimani (vokalist) Fatos Berisha në timpane, Labinot Krasniqi në bas dhe Faton Dolaku në tastiere.