5 hapa si të përforconi internetin në shtëpi

Aktiviteti kryesor i këtyre ditëve mbetet lëvizja e syve nga njëri ekran tek tjetri, sa tek smartphone-i tek PC, sa tek PC tek televizori e kështu me radhë. Ky rreth vicioz tashmë nuk mund të bëjë pa internetin, internetin e vyer të cilit kaq shumë ia kemi nevojën, për argëtim dhe për punë.

Mirëpo gjithë kjo ngarkesë sigurisht që nuk është pozitive, gjigandë si YouTube apo Netflix kanë ulur cilësinë e shërbimeve të tyre vetëm që të përballojnë fluksin e madh. Sidoqoftë edhe vetë ne në shtëpitë tona mund të bëjmë disa ndryshime që do të reflektohen në cilësi padyshim.

Ndaj Geek Room sjell 5 mënyra se si mund të kesh internet më të mirë:

1. Pozicioni i router-it.

Jo të gjitha dhomat janë projektuar në mënyrë të barabartë, në fakt dhoma ku pozicionohet router-i ndikon në mënyrë direkte në shpejtësinë e internetit. Shmang muret, sa më në qendër të shtëpisë aq më e barabartë shpërndarja e sinjalit. Zakonisht varet goxha nga pozicioni i prizës së internetit, por investo në pak metra kabllo për ta vënë router-in në qendër dhe larg pengesave, qofshin këto libra apo orendi, përveçse pengojnë sinjalin, pengojnë edhe ventilimin e aparatit.

2. Bëje update.

Router-i yt krahas anës hardware-ike ka edhe një software i cili ndonjëherë kërkon përditësim. Mjafton të gjesh modelin e aparatit, futu tek faqja zyrtare e kompanisë prodhuese dhe kërko për versionin më të fundit të sistemit të router-it.

3.Ndërro frekuencën.

Interferenca e sinjaleve të tjera është goxha problem, sidomos në ambiente të populluara.

Nëse ke një router dual-band, kontrollo në cilën frekuencë po operon. Shkarko aplikacionin e kompanisë dhe provo të përdorësh bandin 5Ghz në vend të atij më të zakonshëm 2.4Ghz. Do të kesh më pak interferenca, por edhe më shumë shpejtësi.

Megjithatë, duhet thënë që mbulimi 5Ghz është shumë më i mbledhur sesa 2.4Ghz ndaj kjo aplikohet kryesisht në ambiente më të vogla.

4. Shto një antenë

Nëse routeri yt ka një antenë të brendshme, opsioni i shtimit të një tjetre të jashtme do të sjellë vetëm të mira. Mjaft kompani shesin antena shtesë të cilat i gjen lehtësisht kudo, ka dy lloje: omnidirectional, të cilat shpërndajnë valë njësoj në të gjitha drejtimet, dhe directional, të cilat shpërndajnë valë andej nga drejtohen, ndaj nëse njëra nga dhomat vuan më shumë, drejtoje në atë krah.

5. Bli një zgjatues sinjali.

Nëse ke një ambient goxha të madh dhe asnjëra nga alternativat e sipër përmendura nuk bën punë, një zgjatues sinjali do ishte zgjidhje e mirë. Routeri yt mund të mbulojë një distancë të caktuar. Krevati ndoshta është më larg se kufiri, ndaj vendoset një aparat i tillë midis routerit dhe zonës së errët. Sinjali nuk do të jetë njësoj si ai i burimit të parë por është më mirë se asgjë, nëse e lidh me një kabllo direkt, do të ishte zgjidhje ideale.

Mëso më shumë rreth teknologjisë në www.geekroom.al