MEET DABÓ, THE MAN OF BEATS!

Përshëndetje njerëz të mirë, artdashës dhe të burgosur në shtëpi!

Fillimisht, urojmë shumë të jeni të gjithë mirë dhe të sigurt nga pandemia që është përhapur në të gjithë botën dhe na ka prangosur në divan, duke u ankuar se po na qan syri për një kafe, për të takuar miqtë dhe sigurisht, për të daaaalë! Është kaq keq sa edhe introvertët janë mërzitur dhe duan të dalin!

Nejse, le të bëhemi prapë pozitivë, shpresëplotë dhe më e rëndësishmja, le ta shfrytëzojmë këtë PAUZËN për t’i dhënë PLAY projektit më të ri të Donald Braho A.K.A DABÓ!

Ju mbahet mend projekti me të cili na u prezantua Dabó? Dashuria e tij për tingujt, vizioni dhe talenti i një DJ/Producer plot stil, futurist dhe shumë i veçantë, i cili u pagëzua me emrin “Innervisions”? Këtë projekt mega nice e gjeni në:

Lajmi i mirë është se beat-i i këtij projekti është rritur dhe ka sjellë një Remix EP me plot 3 tracks, nën emrin “Innervision The Remixes”

Ja ku i gjeni:

 

Bashkëpunimi i Donaldit vjen me DJ shumë të njohur në Shqipëri dhe Kosovë, ndaj mendojmë se duhet ta bëjmë një prezantim.

Natural Mess është një producent me bazë në Prishtinë dhe kush është i qejfit dhe ka virtytin e vigjilencës së një bufi që rri zgjuar vetëm natën, e di mirë shijen dhe cilësinë që jeta e natës në kryeqytetin kosovar ofron. Remix-i i tij në nuancat Tech House, ka GROOVE si fjalë kyçe.

 

 

Përsa i përket talenteve vendase, Equinoxx është një producent në rritje konstante. Remix-i i tij electro krijon një gjendje misterioze, mistike dhe me pak fjalë, të jep drithërima, shto këtu edhe ritmet breakbeats dhe ja, u krijua receta perfekte për të kërcyer!

 

Nëna Parti mbyll këtë EP duke vulosur stilin që e karakterizon me një prekje funk dhe radio friendly, ideale për t’u shijuar në dhomën tënde. Në mungesë të një bari cool, vendos dritat e duhura për atmosferë, futu në mood dhe gjithçka gati! (Për ta njohur më mirë Nëna Parti, klikoni këtu )

Dheee dëgjojeni këtu:

 

Ajo që i dallon, edhe i bashkon këta të rinj të talentuar është fakti se dinë ca sekrete si të na tundin e shkundin qelizat, po mos të harrojmë këtu dhe punën grafike të artistëve vizualë!
Berin Hasi nga “Zyre International” ka përcjellë më së miri vibe-in e kësaj EP, ndërsa Joan Kamberaj, me animacionin e tij i ka shtuar vitalitet track-ut origjinal.

Gjeneza e këtij projekti të ri, që ripunon pasardhësin dhe ndarja në 3 tracks, vjen si rezultati i miqësisë dhe respektit që këta artistë kanë për njëri-tjetrin. Edhe pse të ndryshëm, bashkojnë forcat dhe talentet, duke na përcjellë kështu një frymë të re e cila po përqafohet gjerësisht nga të rinjtë shqiptarë.


Muzika elektronike po ulet këmbëkryq dhe po bisedon shtruar me ne dhe në fakt, ne mahnitemi pas tingujve të saj. Për më tepër, kjo rrymë po na sjell prurje të reja, nga DJ/Producers jashtëzakonisht të talentuar.

Të jemi të sinqertë, nuk ka rëndësi nëse dëgjon një rrymë komplet tjetër, elektronika ka një ritëm që s’e injoron dot.

Gjithsesi, ne ju sugjerojmë ta njihni DABÓ para se të bëhet super i famshëm dhe të na prezantojë në Tomorrowland. Pastaj, ne do ripostojmë këtë artikull dhe ju do ta kuptoni se jemi paksa parashikues. (Jo, nuk e dimë kur do ikë COVID-19, por ajo që dimë me siguri është se duhet të qëndroni në shtëpi).

Kujdesuni për veten, të tjerët dhe dëgjoni muzikë të mirë! Ju përqafojmë nga ekrani si tek filmi “Her”.