DISA KËSHILLA SI T'IA DALËSH TË SHKËLQESH NË PUNË, EDHE KUR BOTA ËSHTË PARALIZUAR!

Coronavirusi erdhi, na pa, na mbylli në shtëpi dhe krejt papritur, ne filluam të dimë sa pllaka ka shtëpia, sa vija ka parketi, sa kokrra ka një qese oriz dhe sa e dashur është familja.

Gjithashtu, mësuam edhe si të punojmë nga shtëpia, në rehatinë e divanit, me një gotë çaj përpara dhe me ulërima fëmijësh e fqinjësh në sfond (muzikë për veshët).

Por, le të qëndrojmë tek një tematikë që po gëlon në internet e në çdo bisedë: puna në shtëpi. Si, pse, qysh, tek? Spoiler: Do ia dalësh më mirë se në zyrë, nëse ndjek këto këshilla:

- Vendos disa kufij mes punës dhe familjarëve.

Mos u josh pas lojërave të fëmijëve, as pas ushqimit të mamit ose të gjyshes, por fokusohu në punë! Vendos disa rregulla të cilat të ndihmojnë në procesin e punës, duke lënë disi jashtë ulërimat e fëmijëve, filmin e bukur që po shfaqet në TV dhe tendencës së mamit për të të shëndoshur, me justifikimin se "je ligur fare".

- Komuniko sa më shumë.

Jo direkt në temë, pyeti njëherë kolegët si po e përballojnë situatën dhe nëse jo mirë, dërgoji këtë artikull. Më pas, komunikoni për punën, për ecurinë, idetë që keni dhe si do të proçedoni në hapin e radhës.

- Përpilo një plan

E dimë që të gjithë filmat dhe librat që ke lexuar gjatë vetëkarantinimit thonë se "planet nuk ecin kurrë", por sinqerisht, të duhet një plan. Përpilo një plan dhe ndiqe me përpikmëri

- Bëj pak pushim

Pi një çaj apo kakao, ndihmoje vogëlushin me legot (kujdes mos i shkelësh), sillu mirë me mamin, pi një lëng portokalli, informohu për situatën dhe laj duart sa më shpesh! Kështu, do çlodhësh trurin dhe trupin. Më falendero më vonë.

- Alternoje punën me partnerin/en

Nëse jeni dy zogj të dashuruar, e dimë sa e rëndësishme është të rrini bashkë, ndaj zgjidhni të njëjtin orar. Për familjet e mëdha me fëmijë, zgjidhni orare të ndryshme sepse dikush duhet të kujdeset për përbindëshat e vegjël, por super të lezetshëm.

- Pozitiviteti është mendësia që duhet

Dhe mos harro të jesh pozitiv. Dërgo sa më shumë emoji të qeshur në bisedat e tua dhe pastaj merri emojit dhe stampoji në fytyrë. Buzëqesh dhe rrezato pozitivitet pasi lumturia dhe e qeshura janë ngjitëse, pak a shumë si ajo hapja e gojës kur të vjen gjumë, e cila përcillet në të gjithë globin.

- Ki parasysh që do të bëhet mirë

Këtë pandemi shikoje me sy më të mirë, sepse fundja, po i bën një nder të madh planetit (i ke parë rrugët bosh? E di se tani Toka është 25% më e pastër?); po të bën edhe ty nder, pasi më thuaj me sinqeritet kur ke kaluar kaq shumë kohë me familjen për herë të fundit? Kur ishe 7 vjeç? Gjithsesi, pandemia do të kalojë, njerëzimi do të triumfojë si gjithmonë.