INDUSTRIA E GAMING PO BASHKOHET ME ATË TË HOTELERISË

Është fakt që industria e gaming është një prej më fitimprurëseve, me shifra që sa vijnë e rriten. Ky fakt po tërheq vëmendjen e shumë kompanive të tjera të cilat, përmes marrëveshjeve dhe ideve të reja, po përshtaten me këtë ndryshim.

Amerika është shteti i parë që do të ketë tetë hotele të branduara nën logon e Atari, kompani prodhimi lojërash, të cilat do të bazohen në eksperiencën më cilësore të gaming.

Një dizajn futuristik, dhoma me pajisje gati për të luajtur, eksperienca të reja në VR dhe AR, restorante, palestra dhe salla zhvillimi eventesh të e-sports, do të jenë baza e këtij rrjeti i cili do të ndërtohet nga True North Studio dhe GSD Group. Kjo marrëveshje është ideuar nga dy kompanitë e pasurive të paluajtshme, të cilat kanë kontraktuar Atari për t’u bazuar në lojërat e tyre dhe për t’i siguruar 5% të fitimeve vjetore.

Hoteli i parë do të nisë ndërtimin këtë verë në Phoenix, për të vazhduar më pas me godina të tjera në Austin, Chicago, Denver, Las Vegas, San Francisco, San Jose dhe Seattle.

Sa do të kushtonte një natë në Atari Hotel? Këtë nuk e dimë ende.

Mëso më shumë rreth teknologjisë në www.geekroom.al