HEROES COME AND GO, BUT LEGENDS ARE FOREVER!

“Kobe! Kobe! Black Mamba! Scoreeee!”

Çdokush, në çdo shtet që gjendet në hartë, mbrëmjen e së dielës, ndjeu një pezmatim të madh kur lexoi/ dëgjoi se Kobe Bryant u shua tragjikisht në një aksident ajror, ku për shkaqe të paidentifikuara, helikopteri me të cilin po udhëtonte humbi kontrollin dhe u përpi nga flakët.

Bota e sportit, veçanërisht NBA, është në zi për humbjen e një prej talenteve më të mëdha që ka njohur historia.

Por tragjedia thellohet, pasi legjendën e NBA e shoqëronte edhe e bija, Gianna, vetëm 13-vjeçe. Gianna ishte krahu i djathtë i të atit dhe dukej se ndante me të pasionin dhe dashurinë për basketbollin.

20 vite në ekipin e LA Lakers, 5 kampionate të fituar, 2 medalje olimpike, 1 Oscar, miliarda fansa në mbarë botën dhe një histori e pabesueshme frymëzimi; të gjitha na i dhuroi 41-vjeçari Kobe Bryant, basketbollisti legjendar nën fanellën me nr. 24.

Figura të shquara publike nga e gjithë bota kanë nxjerrë nga shpirti fjalë dhimbjeje, duke kujtuar momente të panumërta ku Mamba e Zezë i kishte frymëzuar, mbështetur, apo kishte ndarë çaste lumturie dhe argëtimi.

Ndërkohë, pasi lajmi u verifikua dhe u konfirmua, fansa të panumërt të Kobe-s u mblodhën në sheshin e LA dhe përkujtuan një prej kolosëve të sportit më të ndjekur në SHBA.

I vlerësuar maksimalisht për punën e palodhur dhe për faktin se jepte shpirtin dhe linte të gjithë energjinë në fushë, Kobe Bryant për 2 dekada nderoi fanellën e tij (24) dhe inspiroi njerëz në të gjithë botën.

Sot, i gjithë globi mban zi dhe kujton momentet më të bukura, kërcimet super të larta, rekordin e pikëve, “dinakërinë” dhe shkathtësinë e një prej lojtarëve më të mirë, i cili dinte të qëndronte pranë njerëzve, talenteve, të përgëzonte fitimtarët dhe të motivonte çdo njeri, në çdo disfatë.

 

Për ta nderuar si duhet, po ju kthejmë në vëmendje filmin e tij të dashur, “Dear Basketball”, me të cilin preku zemrat e skuadrës së tij, të tifozëve dhe admiruesve të basketbollit.