EXAMPLE, RIKTHEHU TË LUTEM!

“I guarantee you’ll miss me” thotë Example në një nga këngët e tij dhe profecia u përmbush! Na mungon dhe ndaj po i dedikojmë një artikull, mbase jemi ogur i mirë që të rikthehet.

Example bëri bujë me disa super këngë që u dëgjuan kudo, i ra në sy edhe Calvin Harris-it, bëri një këngë me të dhe pastaj u zhduk. Nuk e di se ç’kanë këta të famshmit, por besojmë se nuk e meritojmë të na thyhet zemra në këtë mënyrë.

Nejse, mjaft u ankuam, është momenti që realiteti të na përplasë, godasë dhe të na thyejë brinjët.

Example e ka emrin e vërtetë Elliot (që nga emri e kemi xhan), është këngëtar, producent, tekstshkrues (vetëm soprano nuk është). Është britanik, i talentuar, ka kujtesë fotografike, është i mirë me numrat (ndaj ka super sukses dhe numëron shumë paundë) dhe vuan nga sindroma Asperger.

Tani është martuar me një modele australiane dhe na ka harruar. Fiks si miku yt që ka një të dashur të re dhe të bën dalje nga çdo rrjet social.

Neejse, ndërkohë që qajmë për mungesën e Example te ai rrethi i trishtimit, ju rikthejmë disa nga këngët e tij më të dëgjuara.