LUTJET U DËGJUAN! JOAQUIN PHOENIX, AKTORI MË I MIRË!

Ky vit nisi shumë mbarë për Joaquin Phoenix! Në fakt, të jemi të sinqertë edhe 2019-ta viti i tij ishte. Mbrëmjen e së dielës, ylli i kinemasë ngriti statujën e çmimit “Best Actor” për filmin që shkatërroi çdo rekord në Box Office, mbushi sallat e kinemave në mbarë botën dhe na bëri të qanim e të qeshnim. Po flasim për “Joker”, dramën e jashtëzakonshme që ka në qendër individin në raportin e vështirë me vetveten dhe shoqërinë.

Në fakt, Joaquin nuk e pati shumë të thjeshtë “betejën”, pasi të kandiduar ishin edhe Adam Driver në rolin e tij impresionues në “Marriage Story” dhe Antonio Banderas në “Pain and Glory”. Por, Joaquin nuk është vetëm aktor i mirë, por edhe një djalë i mrekullueshëm dhe i respektueshëm, pasi në fjalimin e tij nuk harroi t’i jepte meritat e duhura aktorëve të mësipërm. Ua thamë edhe që Phoenix vdes për kafshët dhe e do pafund mamin e tij? (Hubby material).

Gjithsesi, ne si admirues të kinemasë ia dimë sakrificat: rënien drastike në peshë, “studimin” e sjelljeve tipike të një individi i cili ka probleme me shoqërinë dhe njerëzit që e rrethojnë, plagosjet gjatë xhirimit dhe kaq shumë të tjera. Me një fjalë, jemi të mendimit se Joaquin Phoenix dhe trofeu “Best Actor” janë simbioza perfekte, madje më e gjetur se rinoceronti dhe ai zogu që i rri mbi shpinë, i ilustruar në “Diturinë e Natyrës”.

Për më tepër, “Joker” i ri pati bekimin e Christian Bale, i cili u shpreh se është një punë kaq unike, mbresëlënëse dhe e jashtëzakonshme! Kur ka mahnitur Bale, ne mortalët jemi “bukë e djathë”.