PËRULUNI PARA MARCEL DUCHAMP, MBRETIT TË ARTIT PAMOR!

   Ndërkohë që në internet po bëhet nami me meme për atë veprën e artit që përfshin një banane dhe një ngjitës dhe shitet aq shtrenjtë sa nuk dimë t’i numërojmë aq para, po ju sjellim në kujtesë Marcel Duchamp, artistin që theu mitin, na mori në krahë e na hodhi hopa drejt modernizmit.


Që të sjellësh revolucionin në art, duhet patjetër të jesh pak si lunatik, shumë guximtar dhe sigurisht, akoma më shumë inovator. Mesa duket, universi, kur krijoi Marcel Duchamp, nuk e mbajti fare dorën! Francezi më i famshëm në botë ishte piktor, skulptor dhe shahist shumë i mirë. Aq i mirë, sa i bëri artit të së shkuarës një super shah-mat!


Duchamp kishte disa koncepte shumë të ndryshme mbi artin, duke sfiduar realizmin dhe duke sjellë artin modern dhe dinamik. Kështu, lindi një pioner i cili u rendit në shumë lëvizje artistike si: dadaizmi, absurdi, surrealizmi, kubizmi dhe futurizmi.


Me një fjalë, artisti francez bën çdo gjë që ne s’e bëjmë dot. (Mos e pyesni më veten pse Franca është në top listë në aspektin artistik).


Marceli ka bërë një prej blasfemive më të mëdha në art; ka vizatuar mustaqe në fytyrën e Mona Lisa-s (po, pikturës së Da Vincit. Edhe njëherë, të Da Vincit!). E dimë që këtë mund ta bëjnë të gjithë, por a ka guxuar njeri ta bëjë para Duchamp? Jo! A ka guxuar njeri ta bëjë pas Duchamp? Sigurisht që jo!

                          

Derisa dikush të ketë kaq shumë guxim, ne nuk kemi tjetër pikë referimi përpos artistit që na hapi sytë drejt surrealizmit dhe futurizmit.
Për vepra të tjera të cilat me siguri do t’ju ngjallin kureshtje dhe do t’ju bëjnë ta adhuroni edhe më shumë, shkruani në Google “Marcel Duchamp” dhe lexoni çdo artikull të mundshëm. Përvishni mëngët dhe nisni nga puna!