MEET MARKEL CAPO, PIKTORI I KURORAVE TË GURIT!

Në 31 Tetor, kur shpirtrat e botës së përtejme erdhën në tokë, u përballën me art.

T’ju përditësojmë pak me atë çfarë ndodhi, pra t’ju fusim në trip:

Te Kalaja e Tiranës u çel ekspozita “Kurorë Guri” nga Markel Capo. Ekspozita fliste për femrën shqiptare, rolin e saj në familje, shoqëri, si mbrojtëse e nderit, virtyteve, bedenave të kalasë dhe forcën e jashtëzakonshme dhe të gurtë që gruaja ka.

Markeli bëri një super gjetje dhe kalatë kryesore të trevave shqiptare, ia vendosi si kurorë figurave femërore, duke bërë një binom shumë interesant grua-kala.

Ekspozita bëri namin, literalisht! U mirëprit, u shpërnda në story, në Instagram, pati reagime nga mediat dhe kështu, le të themi se kjo i dha zemër artistit të ri, i cili do vijojë me “sagën” e gruas shqiptare dhe kalave madhështore që kemi.

Btw, e dini se kalaja e Libohovës dhe e Porto Palermos janë ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena? Ajo e Vasiliqisë është ndërtuar për të dashurën. Nuk duam t’ju fusim në depresion (më thellë), por a ka ndërtuar i dashuri yt një kala për ty?

  

Lista e grave-kala vijon:

Petrela, Tiranë.

Ngrihet krenare mbi një kodër shkëmbore dhe vëzhgon të gjitha qytetet. Petrela burrneshë, me shekuj është kujdesur për banorët dhe qytetin e saj.

 

Teuta, Sarandë.

Teuta kontrollon gjithë vijën bregdetare të Sarandës. Fuqia e saj buron nga deti, duke u njëhësuar me forcën e dallgëve dhe thellësinë e syve të kaltër.

Dodona, Berat.

Femra fatale Dodonë, me sharmin e gruas shqiptare, mahniti Tomorin dhe Shpiragun, të cilët luftuan deri në fund të jetës për të. Dodona ndau përjetë dy vëllezër dhe krijoi lumin Osum.

Rozafa, Shkodër.

Ku ka sakrificë, ka një grua shqiptare! Zemërbutë, por guximtare, Rozafa dha jetën për Shkodrën dhe gjysmën e trupit për fëmijën e sapolindur.

 

Taulantia, Durrës.

Që prej shekullit të V-të, kur Taulantia lindi, qëndron stoike mbi qytet. Me trupin e saj ka mbrojtur qytetin nga pushtimi, duke qëndruar e gurtë dhe e pathyeshme ndaj çdo sulmi.

Argjiro, Gjirokastër.

Nën rrezikun e pushtimit turk, në një natë të errët, Argjiroja hidhet nga bedenat dhe vdes me nderin e gruas shqiptare. Që prej asaj dite, në shpellën e kalasë, pikon qumështi i nënës Argjiro.

Dafina, Bashtovë.

Më e bukura e Bashtovës, Dafina thur ëndrrat, duke parë gjithë bregdetin e Adriatikut, nga Durrësi deri në Karavasta.

Lisa, Lezhë.

E virtytshme dhe kaq e mahnitshme sa të ndalon frymën, Lisa e Lezhës ruan çdo traditë me fanatizëm, sepse gruaja shqiptare e lidh jetën me trashëgiminë dhe zakonin.

 

Artana, Kosovë.

E bukura e Prishtinës dhe e gjithë Kosovës, Artana e mprehtë dhe stratege jo pak herë ka treguar mençurinë e gruas shqiptare, duke mbajtur të bashkuara trojet shqiptare.

Kroja, Krujë.

Prej shekush Kroja trime nuk u step përpara armikut osman. Për ta nderuar për trimërinë e saj të pashoqe, vetë Gjergj Kastriot Skënderbeu u martua në shtëpinë e saj.

Sanisha, Libohovë.

Sanisha, motra e dashur e Ali Pashë Tepelenës, e cila çdo ditë vështron nga bedenat dhe vajton për të vëllanë.

Vasiliqia, Porto Palermo.

Favoritja e Ali Pashës, gëzoi gjithë jetën dashurinë dhe adhurimin e tij. Te shtrati i Aliut dergjej sakrifica dhe lumturia e Vasiliqisë.