5 TRENDET E TEKNOLOGJISË NË 2020

Gjithnjë në zhvillim, fushat e shumta të teknologjisë priren të përmirësohen me kalimin e viteve derisa vjen momenti që ato të prekin tregun dhe konsumatorin.

Viti 2020 pritet të jetë një nga më dinamiket pasi teknologji, tashmë të prezantuara në prototipe, duket se do të shohin më në fund tregun e gjerë në të gjithë botën.

 

- Shtrirja e rrjetit 5G - 

Rrjeti 5G (gjenerata e 5-të e teknologjisë së rrjetit në telefon) është lançuar tashmë në Sh.B.A, Angli, Kore të Jugut, Japoni edhe pse në zona shumë të limituara. Kjo teknologji sjell rrjet më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm duke siguruar jo vetëm komunikim më të mirë por edhe veprime më të ndërlikuara.

Disa kompani si Samsung apo Huawei tashmë kanë një version 5G të flagship-eve të tyre dhe kjo e vërteton më së miri se 2020 do të jetë viti kur teknologia 5G do të komercializohet. Nga disa testime të bëra në Londër, rrjeti 5G ka një shpejtësi download 600 Mbps, por ai mendohet të shkojë deri në 10GBPS (1,000 herë më të madhe se 4G)

Kjo shpejtësi lejon 5G të përdoret edhe në industri të tjera si robotikë apo makinat autonome, të cilat falë këtij rrjeti mund të marrin më shumë të dhëna në kohë më të shpejtë.

Falë 5G, mendohet që në vitin 2035 bota do të qarkullojë rreth $12 Trilion.

 

- Makinat autonome -  

Nëse flasim për makinat autonome, e para që na vjen në mendje është Tesla dhe këtu mendohet të jetë sërish vëmendja pasi në 2020 Elon Musk ka premtuar një makinë 100% autonome. Deri sot këto makina janë të afta të ecin në autostradë, të kontrollojnë shpejtësinë duke frenuar në kohë dhe të mbajnë linjën e udhëtimit.

Një shembull se ky premtim i Musk do të bëhet realitet, është edhe rasti i një kompanie taksish në Los Angeles e cila arriti që brenda një muaji të kryejë të gjitha shërbimet e saj me makina autonome dhe çfarë është më e rëndësishmja pa asnjë aksident (sigurisht me një pilot në kontroll për çdo rast)

Një tjetër hendek për t’u kapërcyer, sidomos në USA ku këto makina tashmë janë në rrugë, është edhe ndryshimi i legjislacionit i cili ende parashikon se makinat autonome duhet të jenë në kontroll të vazhdueshëm nga një person në timon.

 

- Extended Reality –

Ne sot njohim 3 realitete:  VR është një realitet komplet i krijuar nga kompiuteri, AR një vendosje e objekteve digitale në ato reale (efektet e Insta dhe Snap) dhe MR një shtesë e AR ku ne bashkëveprojmë me objektet digjitale.

Extended Reality është një bashkëveprim i të gjitha realiteteve të përmendura i cili mendohet të zhvillohet në 2020 jo vetëm në industritë e argëtimit por edhe në fusha si trajnimi i punëtorëve, bashkëveprimi me klientët dhe simulimi.

 

- Blockchain Technology –

Nëse termin Blockchain e përdorim jashtë fushës ekonomike, sot do të dukej si term alien por nuk është i tillë. Shpjeguar thjeshtësisht, Blockchain është një regjistër digjital, i përdorur për të siguruar transaksione bankare por shumë i sigurtë për shkak të natyrës së tij të koduar dhe decentralizuar.

Në bazë të këtij parimi funksionojnë sot monedha si Bitcoin, por Blockchain nuk është i lidhur vetëm me këtë. Edhe paraja që ne sot përdorim online po synon që të përdori këtë teknologji, siguria e së cilës bëhet akoma më bindëse kur në 2019 kompani si MasterCard, IBM, FedEx krijojnë dhe shpenzojnë buxhete të mëdha për ta zhvilluar si teknologji.

Mbi Blockchain sot bazohet edhe monedha e Facebook, Libra, për të cilën Mark duket se po kalon kohë të vështira para Senatit Amerikan dhe Bashkimit Europian.  

 

 

- Computer Vision –

Në terma kompiuterikë, termi VISION nënkupton një kompiuter që është i aftë të njohë sendet, vendet apo njerëzit nga një imazh.

Gjatë 2020, kjo teknologji parashikohet të shohë një fushë më të gjerë veprimi duke nisur nga kamerat e vendosura në makinat autonome, kamerat në fushën e prodhimit të cilat mund të identifikojnë produkte të prishura apo kamerat e sigurisë të cilat paralajmërojnë për veprime jo të zakonshme pa patur nevojën e monitorimit 24 orë.

Një tjetër fushë ku kjo teknologji do të shohë zhvillim, është edhe ajo e Face Recognition e përdorur në iPhone apo edhe në Aeroportin e Dubait. Nga ana tjetër kjo pritet të shoqërohet me debate të forta pasi këtu shfaqet edhe rreziku i “Big Brother”.