NJIHUNI ME RICO NASTY

Vetëm pak ditë më parë, revista e mirënjohur e muzikës hip hop, XXL publikoi listën "XXL Freshmen" për vitin 2019. Prej 2007-ës këtu listohen 10 emrat e rinj me premisat më të larta në industrinë e hip hopit. Ama në artikullin e këtij viti gjejmë një pjesëmarrëse të veçantë.

Rico Nasty është një femcee (female emcee) nga Maryland, Sh.B.A. Edhe nëse nuk jeni familjarë me diskografinë e reperes 22 vjeçare, është e pamundur që pamja e saj eksentrike të mos ju bëjë përshtypje.
E shohim të veshur punk, me paliçeta lëkure, geta me rrjetë e platforma gjigande të zeza si dhe me paruke në ngjyra neon. Si fillim, aparenca e saj nuk ka të bejë me standartin e imazhit të dikujt që bën hip hop, por kuptojmë se estetika cyber-goth i përket Trap Lavigne, një prej alter egove të shumta artistike që Rico ka krijuar në botën e saj.

Udhëtimi artistik i reperes nis në moshën 14 vjecare kur e përjashtojnë nga gjimnazi privat ku studionte, sepse tymosi marijuanë në mjediset e shkollës, veprim i cili e detyroi të shpërngulej në një shkollë publike. Mjedisi i ri nuk ishte mikpritës për Marian (Maria Kelly, emri i saj i vërtetë). Gjithmonë ndihej e veçuar prej adoleshentëve të tjerë të cilët visheshin dhe flisnin ndryshe nga ajo. "Ky është momenti kur Maria Kelly u shndërrua në Rico Nasty" thotë ajo në një intervistë për revistën Fader në vitin 2018, "Nisa ti bëja gjërat ashtu si më pëlqen mua t'i bëj, sepse u lodha duke pritur nga të tjerët."

Antikonformiste, e zhurmshme, indiferente ndaj standarteve dhe normave. Stili i saj përkufizohet si miksimi i muzikës trap me tinguj elektronike apo me pop "të sheqerosur" siç e quan ajo brand-in e saj "Sugar trap". Pavarësisht kësaj e kemi parë dhe nën alter egon Tacobella, me ngjyrime shumë më të ndjera e emocionale, sidomos në këngën “Brandon” ku ajo flet për shokun e saj të ngushtë si dhe të atin e djalit të saj, i cili ndërroi jetë 2 vite pasi lindi i biri. Trap Lavigne është alter egoja e saj punk, me influenca punk rap dhe nu metal.