FRYME E RE NË SHQIP NGA GONZO

Gonzo është një nga reperët e rinj më të spikatur që kemi vënë re nga vëzhgimi i prurjeve të reja në vend. Flow i veçantë dhe elokuenca e të luajturit me fjalën, karakteristikë e teksteve që ai shkruan, tregojnë background-in e një talenti me potencial të lartë artistik.


“Switch it” është single i parë që Gonzo sjell nëpërmjet “Undefined Ent.”, label-it i cili shkoi 4 herë platinum në Rusi me hitin “Te Molla” nga Arnon.

Kënga flet për një realitet utopik që ekziston në të ardhmen. Gërshetuar me një beat electro, produksioni largohet prej standardit tipik të gjeneratës së muzikës trap, por pa humbur freskinë që karakterizon frymën e re.

Video muzikore nën regjinë dhe kurimin artistik të Donald Brahos, vjen në një sinkronizim perfekt ku fjala transkriptohet në imazh me një ritëm intuitv.  Epoka e internetit përkthehet në vizuale cyberpunk, retro-future dhe vaporwave me pulsime intense neon, ndryshe nga konturimi i lehtë që kemi parë në video të tjera që artisti ka realizuar për Era Istrefin, Jonida Maliqin apo Janex.

Shfrytëzimi i filtrave të Instagramit dhe përdorimi bootleg i disa sekuencave nga anime si Akira, konfirmojnë frymën underground si karakteristikë e të gjithë produksionit.