RINI SHKËMBI, YLL NË NGRITJE NË SKENËN BOTËRORE TË ELEKTRONIKËS

 

Rini Shkëmbi është talenti shqiptar me bazë në Trieste. I njohur për aftësitë e shkëlqyera në miksim, produksionet e tij muzikore mbështeten dhe luhen nga emra botërorë të skenës elektronike si Marco Carola, Loco Dice, Stefano Noferini etj.
Në kuadrin e vlerësimit dhe ndikimit që artistë si Rini kanë në brezin e ri, lexoni intervistën që realizuam me DJ-in dhe producentin që po ngjit shkallë të konsiderueshme në industrinë në fjalë.

 

  1. Si nisi pasioni yt për muzikën elektronike? Sa vjeç ishe?

Pasioni im për muzikën elektronike nisi nëpërmjet motrës sime të madhe. Unë isha fanatik i hip hop-it old school dhe dëgjoja muzikë nga Wu Tang Clan, Cypress Hill, Easy E, N.W.A etj derisa një ditë ajo më bën të dëgjoj muzikë të pastër house (mbaj mend Armand Van Helden si artist).
Që nga ai moment që isha 12 vjeç, deri në ditët e sotme vazhdoj në kërkimin dhe eksperimentimin e këtj zhanri, pa të cilin tashmë nuk jetoj dot.

  1. Ndodheshe në Shqipëri apo jashtë kur fillove të luaje muzikë?

Ndodhesha në Itali, në Trieste (ku jetoj edhe sot) dhe gjithçka nisi me festat private mes miqsh. Ndërsa sot jam një nga përfaqësuesit e muzikës elektronike në qytetin tim.

  1. Sa vjet u bënë që luan muzikë? Po që e prodhon?

U bënë 13 vjet që unë luaj si DJ, ndërsa si producent 10. Jam gjithmonë në eksperimentim e sipër për të zbuluar risi të nevojshme zanore që çojnë para muzikën dhe veçantinë e tingullit tim.

  1. Track-u i parë që ke krijuar?

Produksioni im i parë titullohej “IDN” (I Don’t Know), për vetë faktin se nuk dija si ta emëroja. Track-u pasqyronte nuanca të tingujve tribal të përziera me stilin e gjeneratës së re të muzikës House.

  1. Emri i parë i madh me të cilin ke ndarë skenën?

Hmmm gjatë karrierës sime deri më sot kam pasur në krah shumë emra të kalibrit botëror, por i pari i përmasave të tilla ishte Damian Lazarus.

  1. Si erdhi idea për të hapur label-in tënd, AdMaiora?

AdMaiora lindi si një ide midis meje dhe ortakut tim Gëzim Vrioni. Kishim ndërmend të nisnim një label ku të kishim mundësinë të shprehnim punën tonë në liri të plotë, e t’u lejonim dhe talenteve të tjera emergjente mundësinë për t’u lançuar. Nuk kishim një emër të qartë në mendje deri në momentin që Gëzimi merr në dorë një libër në latinisht, nga ku së bashku përzgjedhim AdMaiora, që do të thotë “Drejt qëllimeve (gjërave) më të mëdha!”

  1. Cilët janë disa nga artistët më në zë të cilët kanë nxjerrë muzikë në AdMaiora?

AdMaiora ka presuar vinyl-a për emra të konfirmuar në industri si Yaya, wAFF, Reboot, 2000 and One, Re.you, Hector, Pirupa, NTFO, Christian Burkhardt, Federico Grazzini etj
Ka shumë artistë të tjerë të cilët do nxjerrin produksione cilësore gjatë muajve në vijim prandaj sugjeroj të na ndiqni.

  1. Ke në plan të nxjerrësh album? Po produksione të tjera?

Për momentin jam duke punuar fort për albumin tim të parë, por gjithashtu po mbyll dhe disa produksione të cilat do lançohen muajt në vazhdim në top label-s.

  1. Cilat janë disa nga vështirësitë e të punuarit në këtë biznes?

Vështirësitë e të punuarit në këtë biznes janë të shumta, por me e rrezikshmja është humbja e entuziazmit. Është shumë e rëndësishme për të MOS NDALUAR KURRË dhe të besosh e të duash gjithmonë atë që bën, edhe në momentet më të vështira. Duhet një aftësi e caktuar për të mbajtur qëndrueshmëri dhe pasion, ama siguroj që rezultatet e mira do vijnë automatikisht megjithëse ngadalë.

  1. Një mesazh që dëshiron të përcjellësh për brezat e rinj që duan të jenë pjesë e skenës/industrisë së muzikës elektronike?

Këshilla ime e vetme për brezat që po vijnë është të mos nxitohen në prodhimtari muzikore të menjëhershme, por të fokusohen në objektiva të arritshme p.sh. përmirësimi i dijes (thellimi, dhe studimi në subjektet e zgjedhura të rrymës muzikore që lëvrojnë) si dhe praktikimi i të bërit të zgjedhjeve më racionale.

  1. Cili është rreziku i të punuarit në këtë industri?

Do këmbëngul tek e njëjta pikë: Rrezik është të mos mbash ndezur e të mos ushqesh vazhdimisht zjarrin e entuziazmit që pasioni për këtë punë ka nevoje. Duhet të jetë gjithmonë ndezur, në të kundërt rrezikon të humbasësh lidhjen me prodhimtarinë që të lejon të bësh ëndrrat realitet.

Në mbyllje të intervistës, me shpresën se këni mësuar diçka të re ju ftojmë të dëgjoni një DJ set që Rini ka realizuar për Ibiza Global Radio.