NJIHUNI ME “SYTË”, BANDA MUZIKORE QË PO SJELL RISI NË MUZIKË

SYTË është një bandë e pavarur e përbërë nga 4 muzikantë me bazë në Prishtinë.
Kur ramë për herë të parë në kontakt me produksionet e tyre, u magjepsëm nga zëri i Nitës, anglishtja e mirë dhe mbi të gjitha muzika dhe tingulli unik që i karakterizon.


Vokalistja Nita Kaja dhe producenti Drin Tashi janë themeluesit e grupit, të cilët u takuan në 2016, dhe si rezultat i romancës midis tyre lindi koncepti muzikor.
Më pas si nevojë për t’u zhvilluar në një spektrum më të plotë kreativ, SYTË evoloi në bandën që është sot kur Fatlind Ferati dhe Granit Havolli u bashkuan në këtë projekt.
Debutimi i suksesshëm i grupit në korrik të vitit 2018 erdhi si rezultat i lançimit të EP-së së parë, së vetë titulluar nën emrin “Sytë”.
Nga momenti në fjalë katërshja ka publikuar 3 video muzikore dhe ka realizuar një mini-turne në disa vende të Ballkanit. Ata gjithashtu kanë performuar në dy festivale, duke çelur skenën për artistë si Dua Lipa, Action Bronson dhe Martin Garrix.

Ajo çka na tërheq më tepër është inspirimi që SYTË marrin nga romantizmi, ekzistencializmi, natyra, astrologjia dhe gama e gjerë e emocioneve njerëzore, por mbi të gjitha frymëzimi ndaj së bukurës, element të cilin e përcjellin dhe vetë po aq mirë.

Banda mbart ndikim nga artistë si Solange, Julian Casablancas, Thundercat, Marvin Gaye dhe sigurisht Radiohead.
Nga kontakti ekskluziv me SYTË, mund të ndajmë me ju faktin se album i tyre i parë është gjatë rrugës. Eksplorimi i një bote më të thellë nëpërmjet tingullit të tyre të veçantë, meloditë dhe temat poetike janë disa nga ingredientët që banda po inkorporon në këtë proces.

Vlerësimi dhe admirimi ynë për të rinjtë e talentuar, bazohet tek fakti se pavarësisht se nuk operojnë në treg nëpërmjet menaxherëve, agjentëve apo financimit nga ndonjë label muzikor, zotërojnë aftësinë e pakundërshtueshme për të materializuar ide dhe muzikë të një cilësie të lartë.

Në pritje të albumit, ju ftojmë të zhyteni në botën e Sytë Band!