NËNA PARTI, DYSHJA MUZIKORE QË “RINGJALLI” ENVER HOXHËN

Shpeshherë ankohemi se në këtë vend nuk ka skenë alternative apo underground - le të themi.

Dhe me underground do të kuptojmë çdo formë të muzikës që tejkalon standardin e masës apo të asaj që konsiderohet “in” për popullin e gjerë.

Kjo lloj kulture nuk bën kompromis me trendin e momentit, dhe si baze ka lirinë e të shprehurit dhe vlerësimin e individualitetit artistik të krijuesit.

Nëna Parti është dyshja elektronike që eksploron kryesisht zhanrin Synthwave, muzikë me të cilën mund të keni rënë në kontakt nëpërmjet video lojërave si Grand Theft Auto.

Eduina Aliçka dhe Klejd Guzja janë artistët që fshihen pas konceptit së “Nëna Parti”, projekt i cili nisi në vitin 2017.

 

“Menduam të marrim diçka nga kultura jonë, por ajo çka na ka ngelur dhe ende jehon në ditët ku jetojmë është komunizmi i Enverit” tregon Eduina ndërkohë që shpjegon se si nisi idea fillestare.

Imazhi i diktatorit i stilizuar vizualisht me glitch dhe ngjyra neon krijon goxha impakt kur e sheh për herë të parë.

Menjëherë të lind pyetja: Këta të rinj ngrenë në piedestal komunizmin e errët shqiptar apo janë ironikë?

Dhe sigurisht që ironia fshihet pas një Enveri cyberpunk me nuanca retro-future.

“Kemi marrë edhe komente negative.” sqaron Klejdi “Jo të gjithë e kanë kuptuar siç duhet atë që duam të theksojmë nëpërmjet estetikës sonë - faktin që sistemi i kaluar na ka lënë peshqesh mungesën e zhvillimit në përgjithësi, dhe sidomos atë të kultivimit të një mentaliteti mendje hapur artistiko-kulturor.”

Përveç zhanrit synthwave “Nëna Parti” eksploron edhe mikro-zhanrin vaporwave, valë audio-vizuale e cila shpërtheu online pas 2009-ës.

Nën ndikimin e vaporwave dyshja në fjalë pavarësisht se nuk ngre në qiell komunizmin, mban qëndrim ndaj konsumit kapitalist dhe kulturës pop që gjeneron vetëm trende jetëshkurtër.

Muzikalisht “Nëna Parti” mban vulën e nostalgjisë së muzikës elektronike të prodhuar për kolonat zanore të filmave futuristikë gjatë viteve ’80.

EP i parë i dyshes kreative i përbërë nga 4 këngët më të pëlqyera që kanë nxjerrë në fillimet e tyre si single në YouTube, vjen nën titullin “Outrun P.P.Sh” (Lër pas P.P.Sh).

Ky EP është esenca e “Nëna Parti”, pasi mbart influenca synthwave, vaporwave dhe outrun të gjitha të ndikuara nga një element shqiptar. Ajo çka vlen të theksohet janë ndjesitë e “mallit” për periudhën komuniste, gjithmonë në formë ironike; duke ndërfutur detaje si kryqi me kokë poshtë tek busti i diktatorit apo dhe titujt e produksioneve si “Stuck in dictatorship? Outrun the P.P.SH.” (Të ngecur në diktaturë? Lër pas P.P.SH.)

EP i dytë “Brief Glimpses of Beauty” (Vëzhgime të shkurtra të së bukurës) , i përbërë nga po 4 këngë, rikthen dyshen në një formë më të pjekur teknikisht dhe artistikisht përsa i përket cilësisë së përgjithshme të produksionit. Frymëzuar nga film bërësi Jonas Mekas, muzika e kësaj EP-je shpreh një filozofi jete tek e cila gjen “copëza të vogla bukurie”, madje dhe në vendet më të errëta.