PSE E DUAM GIORGIO MORODER

Është e pamundur të mos kesh dëgjuar të paktën një hit të kompozuar nga Moroder. Që nga vitet ’70 karriera e tij shënoi shumë produksione solo, bashkëpunime me artistë të ndryshëm dhe kolona zanore të cilat shpeshherë kanë arritur majat e klasifikimeve. Legjenda me origjinë italiane mbart 3 çmime Oscar, katër çmime Grammy dhe po katër çmime Golden Globe. Themeluesi i studios së famshme Musicland në Gjermani, njihet në të gjithë botën si një individ që ndryshoi fytyrën e muzikës elektronike.

I konsideruar nga shumë kritikë si mbreti i disco-s, Moroder fshihet pas një nga himneve ikonë të club-eve, “I Feel Love” në bashkëpunim me Donna Summer. Përdorimi i syntha-ve në mënyrë magjike, bass line-i pulsues dhe shkrirja perfekte me vokalin e këngëtares i dha dyshes vazhdimësinë për të krijuar hite të tjera botërore si “Last Dance” dhe “Hot Stuff”

 Pas suksesit të mësipërm, Moroder krijon kolonën e parë zanore në vitin 1978 për filmin “Midnight Express”. Ai shkroi, kompozoi dhe performoi pjesën muzikore së bashku me single-in e tij “Chase”. Faktor që ndikoi në një famë akoma më të madhe në formën e një çmimi Oscar për pjesën më të mirë muzikore në film.

Tani karriera e tij mbart 18 kolona zanore, përfshirë këtu punë për filma simbol të viteve ’80 si “American Gigolo”, “Scarface”, “Cat People”, “Metropolis”, “Electric Dreams” dhe “Superman III”. Sigurisht nuk mund të harrojmë pa përmendur “Flashdance” dhe “Top Gun” me këngët përkatëse të paharrueshme si “What a Feeling” dhe “Take My Breath Away” të cilat i dhanë artistit edhe dy Oscar të tjerë.

Moroder është artist i cili regjistroi albumin e parë dixhital. E=MC² nuk është vetëm formula e famshme e Einstein-it por dhe album i tij i nëntë. Lançuar ne 1979, 100 vjet pas lindjes së shkencëtarit, projekti nisi si një eksperiment për të regjistruar një album pop duke përdorur tërësisht teknologji dixhitale, dhe përfundoi si një nga pjesët klasike, kult të muzikës elektronike.

Moroder punoi në mënyrë sporadike gjatë viteve ’90 dhe 2000, pjesën tjetër të kohës e shfrytëzoi duke u marrë me hobby dhe projekte të çuditshme, që nga fjalëkryqet, të luajturit golf deri tek të prodhuarit konjak dhe të dizenjuarit të një piramide. Daft Punk i dedikuan një produksion të tërë nën titullin “Giorgio by Moroder”, lançuar në albumin “Random Açess Memories” në 2013.

Eksperienca e sipërpërmendur ndezi tek artisti dëshirën për t’u rikthyer në skenë me performanca si DJ dhe nxjerrjen në treg të albumit të tij të 15-të titulluar “Déjà Vu”. Punë e cila mbart vulën e bashkëpunimeve me mbretëresha moderne të popit si Britney Spears, Charli XCX dhe Kylie Minogue.

Giorgio ka qënë artisti kryesor i shumë festivaleve dhe organizimeve masive, por kurrë nuk ka realizuar turne. Tashmë 78 vjec, artisti vazhdon eksperiencën e tij të quajtur “A Celebration of the ‘80s” që do të shtrihet në mbi 15 qytete të ndryshme.

Turneu në fjalë pritet që të ketë surpriza mahnitëse përsa i përket ndriçimit dhe skenografisë duke i dhënë më tepër shkëlqim producentit i cili gjatë spektakleve do të performojë ne piano, vocoder dhe synth-a të ndryshëm, i shoqëruar gjithashtu nga një bandë dhe vokalistë të ndryshëm.

Një nga surprizat është fakti që ai do ndajë detaje të pa shprehura më parë mbi eksperiencën, jetën dhe karrierën, ndërkohë që do nderojë muzën e tij të hershmë Donna Summer.

Këto dhe shumë të tjera janë disa nga arsyet për të cilat ne e duam ikonoklastin “e pandreqshëm” për të cilin çdo brez që e gjen veten pjesë të skenës elektronike duhet të dijë.