10 KËNGË POP ME INFLUENCË ELEKTRONIKE

  1. Elvana Gjata ft. Fugaa – Mamani nejen

Shumë nga hitet që përkufizuan rritjen e Elvanës në skenën e muzikës shqiptare kane influenca dance, por nga këto këngë, ja vlen të kujtohet “Mamani nejen”.

Tubat e aspiratorëve dhe ekranet e veshura me letër alumin, veshja ngjyra argjendi dhe parukja bionde janë elemente të thjeshta që i dhanë videos një look futurist me një kosto të ulët.

  1. Dafina Zeqiri ft. Ledri – Po m’pëlqen

E kërcyeshme, energjike dhe plot dinamizëm “Po m’pëlqen” ka qenë pa diskutim një nga ato këngë që kudo që luhej të ngrinte në këmbë. Me një imazh i cili imiton underground-in, i theksuar dhe nga bardh e zija dhe performanca e Dafinës me kanotieren e grisur ishin risi për kohën.

 

  1. Aurela Gace ft. Mc Kresha – Cash

Beat-i 808, por mbi të gjitha vizualja e klipit që na kujton filmin “Tron Legacy” të katapulton në një botë virtuale të cilën rrallë herë e kemi parë në klipet shqiptare.

  1. Ledina Çelo – Po vij tek ti

Kontroverse për kohën, novatore, dhe mbi të gjitha sexy, vokali i Ledina Çelos në një beat të pastër house music është pa diskutim një nga perlat e popit shqiptar që anon më tepër nga muzika elektronike.

  1. Alban Ramosaj – A thu pse

Le të kthehemi tek muzika e viteve të fundit me “A thu pse” të Alban Ramosaj.

Baza instrumentale e kësaj kënge të kujton perlat e muzikës elektronike të viteve ’80, shtoji sipër zërin ëndërrimtar të këngëtarit dhe kështu krijohet një nga këngët më të bukura pop me ndikim të fuqishëm elektronik.

  1. Janex ft. Dabó – Wannabe

Janex e njohur për stilin e saj indie dhe për faktin se shumicën e produksioneve i ka në anglisht në “Wannabe” bashkon forcat me një nga DJ-të me eklektik të skenës elektronike shqiptare, Dabó për të na sjell një këngë e cila duket sikur është tërësisht prodhim i huaj. Teksti sarkastik, videoja shumë ngjyrëshe dhe montazhi ritmik janë perfekt për të përcjellë vibe-in e kohëve moderne ku jetojmë.

  1. Era Istrefi – A po don

Beat-i i “A po don” na kujton “212” të Azealia Banks, megjithatë është një nga këngët tona të preferuara të Istrefit, tashmë yll me famë ndërkombëtarë.

Performanca e këngëtares, toni i errët i produksionit në përgjithësi, videoja në bardh e zi e komplementuar nga skenat më ngjyra neon, pa diskutim e fut Erën në këngëtarët e kësaj kategorie.

  1. Besa – Mëngjesi im je ti

Është momenti të bëhemi nostalgjikë me tre këngët e fundit.

Rikujtojmë “Mëngjesi im je ti”, muzikë house absolute e cila fuqizohet më tepër nga zëri i këngëtares, produksion i cili dhe sot të bën të kërcesh.

  1. Julka – Mëngjesi pa ty (Official Remix)

Siç dihet Julka dhe Andy Gramm (Për kohën i njohur si Andy DJ) kanë bashkëpunuar gjithmonë, nga puna e tyre, veçojmë këtë remix të “Mëngjesi pa ty”.

Kënga ka nuance break beats, house, edhe dance.

  1. Ardit Gjebrea – Dimëroj

Për në fund kemi lënë një nga këngët më legjendare të Ardit Gjebreas, “Dimëroj”. Baza trance (për të mos thënë psy trance) e produksionit plotësohet nga motivet e muzikës tradicionale dhe vokalet e grupit polifonik.