ÇFARË TË BËSH NË JUG KUR BIE SHI

Në ditët që të gjithë i kishim parashikuar si turret e para drejt detit, e gjetëm veten duke parë mesatarisht 8 herë në ditë accuweather.com, pasi moti në Shqipëri papritur është më i pavendosur se një adoleshent bipolar. Nëse kjo ishte fundjava e dytë gjatë së cilës anuluat planet prej shiut, u mbyllët në shtëpi duke parë story-t e atyre që në fakt shkuan në jug dhe dërgonit DM standard “Hë si është koha andej?”, atëherë ju sjellim guidën më të re: Si të kaloni bukur në jug kur bie shi!

 

Kjo guidë është e testuar në person dhe ngrihet mbi parimin e njohur “Nuk jemi sheqer që të shkrihemi”. Funksionon dhe madje në disa raste specifike, mund të rezultojë më e suksesshme se guidat e jetës së natës gjatë fundjavave të nxehta!

 

 

  1. Vër krem gjithsesi!

 

Dhërmi, 22 Qershor 2018

Mos u gënje nga hija e reve që kanë pushtuar qiellin, sërish mund të digjesh [oj të djegur madje!] nëse nuk tregon kujdes. Mos lër lëkurën pas dore sepse: ose do kthehesh në shtëpi me djegie të shkallës së tretë; ose do marrësh ngjyrë por ndërkohë do jesh dëmtuar nga një mori rrezesh diellore.

 

  1. Lexo!

 

Radhimë, 21 Qershor 2018

E ke parasysh atë librin që e merr me vete në çdo udhëtim, kafe, takim sepse mendon do gjesh pak kohë ta shfletosh? Po, të gjithë e bëjmë këtë. Por, nëse koha nuk është e favorshme për orë të gjata brenda në ujë dhe banjë dielli, mund të bësh gjënë më të mirë që bëhet në plazh: të lexosh! Disa madje do thoni që është shumë e këshillueshme edhe në ditët me mot të mire…

 

  1. Eksploro!

 

Shenja e vetme e jetës urbane në jug

Në jug të Shqipërisë nuk ka vetëm plazhe me lokale dhe hotele, por dhe shumë fshatra të bukura, kulturë e pasur dhe  shumë [shumë!] humor. Ec nëpër rrugët e gurta, edhe nëse bie shi [e imagjinon dot sa foto të bukura do dilnin?] dhe mos hezito të njohësh njerëzit që jetojnë aty. Pjesa e sipërme ka jo vetëm lokale më të lira, me pamje të jashtëzakonshme [sidomos gjatë perëndimit], por dhe rakinë më të mirë në vend [edhe kjo e testuar në person].

 

  1. Chill!

 

Dhërmi, 22 Qershor 2018

Pavarësisht motit me shi, pjesa më e madhe e lokaleve janë të hapura dhe funksionale nëse doni një birrë apo cocktail. Kujdes! Kjo nuk aplikohet tek kafeja, sepse ndezja e ekspresit vazhdon të jetë në luks që ofrohet vetëm në ditët me shumë trafik turistik. Megjithatë, shfrytëzoje këtë kohë për të pushuar vërtetë. Kënaqu me qetësinë, zhurmën e valëve të detit apo të erës. Natyra është detox-i më i mirë, gjithmonë.

 

  1. Shijo qetësinë pas stuhisë

Moti me shi sjell pamjen më të bukur! Mos humbisni momentet që të marrin frymën të cilat ofron natyra si për të na kujtuar që sado e vështirë të jetë nata, në mëngjes qielli do shkëlqejë më bukur se kurrë.

 

Dhërmi, 22 Qershor 2018