Arctic Monkeys Prezantojnë “Four Out of Five”: Shpëtimin e Vetëm Ndaj të Ardhmes së Zymtë.

Kur Arctic Monkeys publikuan albumin Tranquility Base Hotel & Casino, le të themi që pjesën më të madhe prej nesh e gjeti tepër të papërgatitur. Jo vetëm për të nisur sërish përjetimet me orë e orë të tëra nën zërin e Turner, por më së shumti, na gjeti të papërgatitur për t’i dashuruar ata sërish nga e para dhe këtë herë në një formë krejt të re.

Që nga kënga e parë e publikuar prej albumit, Four Out of Five, me një video që zgjat 05:29, të xhiruar në dy shtete të ndryshme, me një staf që të duhen katër orë scroll në Youtube për t’i parë të gjithë dhe me një Alex që më shumë ngjan me një trafikant italian se sa me djaloshin e hedhur britanik, fansat u përballën me një tingull, tekst dhe imazh krejt ndryshe të grupit që kemi dashur përgjatë 16 viteve!

Por, të prisnim që djemtë nga Sheffield të ishin po të njejtët, do ishte po aq absurde. Arctic Monkeys janë rritur, njësoj si fansat e tyre dhe tashmë nuk flasin më për telefonata në 3 të mëngjesit, por për tema që i përkasin jetës globale dhe së ardhmes aspak premtuese.

Diku nga mesi i albumit Tranquility Base Hotel & Casino, Alex Turner të fton tek restoranti i tij meksikan që ndodhet në hënë. Dhe nuk është thjesht një restorant si gjithë të tjerët, është një taqueria që ndodhet në një tarracë të hënës dhe po merr kritika të papara. “Katër yje nga pesë,”-premton Turner me zërin e tij unik. “Dhe kjo nuk është dëgjuar kurrë më parë,” shton ai [marrë nga teksti i Four Out of Five].

Albumi i ri është i mbushur me momente ku artistët duket sikur venë në lojë veten, duke e lënë audiencën të dyzuar nëse do ia plasë të qarës apo do shpërthejë në të qeshura në çdo moment. Teksa albumi rezultoi shumë më i pavendosur nga sa prisnim prej një ndër grupeve më të mëdha të muzikës në botë, në momente si Four Out of Five, ky rrezik është vetëm një gur më tepër që të shpie drejt diçkaje të jashtëzakonshme.

Për t’i shtyrë fansat që t’i qaseshin Tranquility Base-it si një vepër e tërë, Arctic Monkeys nuk publikuan asnjë këngë para daljes së albumit, gjë e cila e vendos Four out of Five në një pozicion paksa të vështirë, duke qenë se është kënga më direkte dhe njëkohësisht, më e çuditshmja. 

Pavarësisht se tekstet e Turner prekin tema si lufta, katastrofat natyrore, kolonizimi i hapësirës dhe rinovimeve të pronave publike [“Vende të reja të lezetshme vazhdojnë të mbijnë” – vëren Turner], tematika e zgjedhur nuk është mesazhi. Përkundrazi, Four Out of Five është shpëtimi, arratisja,- një ftesë për të harruar gjithçka dini për këtë grup të famshëm dhe për t’i shijuar sipas kritereve të tyre.

Kur t’i takoni, do dëgjoni një muzikë të rikrijuar, me gjashtë albume brenda, jo të kompozuar me ironi të ftohtë apo me nëntone të hidhura tek-tuk, por me një imagjinatë goditëse!

E ardhmja sipas Arctic Monkeys tingëllon e ftohtë dhe shpesh e errët, por me ta mund të jetë shumë më argëtuese. Dhe kjo është diçka e padëgjuar më parë.