Një Intervistë LaraLara me DJ Lura!

Kur takon për herë të parë Lurën mendon “Oh, sa portret interesant”. Me kaçurrelat e kuqe dhe vetëbesimin që e karakterizon, është e vështirë të mos e diferencosh nga njerëzit që të rastis të njohësh në jetë.

Kur e takon për herë të dytë Lurën, kupton se sa inteligjente, e kulturuar dhe e mirëartikuluar është ajo [veçanërisht në ditët e sotme kur rrallë herë hasemi me njerëz që flasin një shqipe të saktë, për Lurën kjo mund të jetë trashëgimia më e mirë që i ka dhënë babai i saj, gjuhëtari Mehmet Elezi].

Kur e takon për herë të tretë Lurën arrin t’i shohësh grimcat e tjera plot lara që ka personaliteti i saj. Një vajzë tepër punëtore, ama e qetë. Një shpirt sa artist aq edhe racional. Një nënë dhe DJ, SuperLura është si ato personazhet që i sheh nëpër filma dhe pyet veten “Si ia dalin xhanëm t’i bëjnë të gjitha?”.

Lura Elezi në këtë intervistë vjen në retrospektivë të rrënjëve të veta muzikore, në koherencë me rrugën e re që ka marrë karriera e saj në marketing dhe planifikim evenetsh – rrugë e cila mban emra të mëdhenj të muzikës si Alban Skënderaj apo Tre Musketierët, dhe si e vetmja DJ femër që kemi, e cila nuk ka hequr dorë kurrë nga ky pasion. Dhe teksa presim ta shohim, duke e ngritur festën në këmbë gjatë Colour Day Festival, po ju sjellim këtë intervistë, të cilën më shumë se sa nga një personazh, e konsiderojmë si nga një model për t’u ndjekur.

Kur ka lindur dashuria jote për muzikën?

Në kohët « e lashta », pa hyrë në shkollë ende, kur te ne TV kapte aksidentalisht kanale televizive jugosllave dhe italiane, madje një nga jugosllavet shfaqte MTV gjatë gjithë paradites dhe në orët e vona. Kur nuk shihte babi lajmet, ose nuk isha në oborr duke u kacavjerrë diku, unë isha me sy e veshë aty.

Cilat kanë qenë klubet e para që ke frekuentuar, si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë?

Në gjenezat e bllokut, kur kishte ende ushtarë të armatosur në skajet e tij, lindi Mirage Pub, në një ndërtim të paligjshëm buzë Lanës. Ishte nëntokë, « modern » me estetikë tipike të fundit të viteve 90', fillim i viteve 2000 dhe vinte muzikë cool me ekran të sheshtë në mes.

Pastaj Irish Pub, pranë Librit, nga i cili kujtoj një atmosferë tipike pub-i me muzikë rock dhe rryma të kërcyeshme, ku njerëzit i gjeje pa problem edhe majë tavolinave. Ndërsa disko-ja e parë jashtë ka qenë Disco 2000 në Prishtinë, pas luftës, kur atmosfera ishte e jashtëzakonshme në këtë qytet, ditë e natë.

Ku ke luajtur muzikë për herë të parë?

Në universitet (kam studiuar në AUBG – American University in Bulgaria) zakonisht në festa me shqiptarë, për të cilat u bëmë të famshëm. Nëpër kampus qarkullonte nami që unë kisha shumë shije dhe nuhatje për muzikën, dhe voilà.

7 vite më vonë, thjesht prej njohurive të mia të gjera muzikore, u qasa nga miku im Gent Xhani, asokohe DJ në Big Ben dhe më ofroi të luaja një herë në javë. Nuk ndala më!

Ke një DJ shqiptar që të pëlqen apo e ndjek kur luan? 

Ad Dishën! Nuk të bën të ulesh kurrë, ka reportor shumë të pasur dhe të zgjon nostalgjinë herë pas here, me shumë elegancë.

Për ata që nuk e dinë, ti qëndron pas dy koncerteve shumë të suksesshme recitale të këtij viti, atij të Alban Skënderaj dhe të Tre Musketierëve. Jemi sy e veshë për të ditur më shumë rreth kësaj eksperience.

Gjithmonë më ka shkuar muhabeti vaj me artistët, madje kam parë dhe disa prej tyre “in the making”. Kombinuar me profesionin tim, që është marketingu dhe eventet, si pa dashje filloi diçka e re që nuk e dija që do e doja kaq shumë.

Më pëlqen shumë t’u nxjerr më të mirat në pah dhe sekretet që ata kanë dhe këtu qendron dhe kontributi im: krijimi i një përvoje nëpërmjet një shfaqjeje artistike sa më autentike mbushur me energji të mira.

Si arrin ta balancosh jetën midis punës, blogut LaraLara, familjes dhe muzikës?

Hah. Nuk ka balancim të mirëfilltë. Të gjitha ndodhin gjatë gjithë kohës, ditë e natë. Teksa po vë muzikë, më lind një ide për shkrim, të cilin e shkruaj 2 rreshta se mos harroj, ndërkohë që whatsapp po më shpërthen nga grupet e punës dhe mes gjithë këtyre, i kërkoj Agonit (bashkëshortit) foto të çunit që po e zë gjumi. Si të duket? 

Ke luajtur më parë në festival? Si po e pret Colour Day Festival? E di që je e vetmja DJ femër në lineup?

Nuk kam shumë eksperiencë me festivale. Kam luajtur një herë në Traku Fest në Gjirokastër. Colour Day po e pres me shumë qejf se më duket diçka me të vërtetë ndryshe që po ndodh në qytet.

Me thënë të drejtën, nuk e kisha vënë re që jam e vetmja femër, dhe nuk e marr vesh pse. Përfitoj nga rasti t’u bëj thirrje të gjitha gocave që kanë vesh e reportor muzike të fillojnë të bëjnë eksperimente!

E ke zgjedhur ç’muzikë do dëgjojnë të pranishmit prej teje?

Nuk e kam vendosur ende, por do të jetë diçka që i përshtatet rastit: gëzim, ngjyra, kërcim. Kemi shumë nevojë të kërcejmë, si popull!

Cila është kënga/rryma muzikore/artisti me të cilin e nis ditën?

E nis me diçka që më ka mbetur në kokë nga nata e mëparshme, ose me albumin më të ri të ndonjë artisti të preferuar. Për momentin, është albumi i ri i Franz Ferdinand, me të cilin ju përshëndes.